1. Tema

Botohen ditarët e Zogut në 90-të vjetorin e Monarkisë

20170527230556 20170527230428 zog

E konsideruar gjithnjë si një periudhë e rëndësishme historike, e analizuar në këndvështrimin politik e ekonomik, tashmë vitet e Mbretërisë Shqiptare të Zogut I, do të trajtohet edhe si një trashëgimi kulturore. E trajtuar me një sy tjetër, me rastin e 90-të vjetorit të shpalljes së saj, Agjencia “Pro Democratia” do të prezantojë “90 vjet\Monarkia Shqiptare –Trashëgimi Kulturore”. Ky projekt do të fokusohet kryesisht në lëmë të botimeve. Ditarë, fotografi, biografi, teza studimore.


Pjesë themelore e projektit është botimi i plotë i ditarëve të Mbretit Zog, duke ua dhënë të gjithëve mundësinë t’i kenë ato në duar. Për këtë 90-të vjetor, 90 foto emblematike, shumë prej të cilave publikohen për herë të parë, do të pasqyrojnë momentet më të rëndësishme të familjes, por edhe më të bukurat, si dasma e Mbretit Zog apo ajo e Princit Leka II. Po kështu është menduar botimi I një libri për “Zogollët dhe Familjet e Mëdha të Shqipërisë”, që synon t’u kushtojë vëmendjen e merituar familjeve që kanë ndikuar ndjeshëm në zhvillimet historike dhe ekonomike të Shqipërisë. Po në lëmë të botimeve, projekti parashikon botimin e biografisë së Princit Leka II.


Ky punim biografik i autorizuar, rreth jetës së Princi Leka II, do të ndihmojë në njohjen nga afër të trashëgimtarit të Familjes Mbretërore shqiptare. Po kështu, botimi i 10 temave doktorature në Universitetin Europian të Tiranës, rreth periudhës dhe Familjes Mbretërore. Janë kërkime shkencore mbi çështje juridike, ekonomike dhe sociale të asaj kohe. Krahas botimeve, projekti parashikon edhe një vepër ambicioze, që është realizimi i një filmi artistik me metrazh të gjatë mbi Mbretin Zog, mbi personalitetin dhe mbretërimin e tij.


Por njohja nuk do të kuptohej pa elemente muzeore. Në projekt, ndër të tjera, përfshihet edhe krijimi i një muzeu. Bëhet fjalë për kthimin e Vilës së Mbretit Zog në Shirokë në Muze të Familjes Mbretërore. Një tjetër aspekt i projektit është edhe bamirësia. Duke ndjekur modele evropiane e amerikane, do të krijohet “Albanian Ladies Club”, nën kujdesin e princeshës Elia. Një ndër qëllimet e këtij klubi janë edhe aktivitetet e bamirësisë.


Po në këtë drejtim parashikohet edhe dhënia e pesë bursave të studimit “Mbretëresha Geraldinë” në Universitetin Europian të Tiranës, për vajza në vështirësi ekonomike. Ku projekt, i cili pritet të përmbushet në 90-të vjetorin e Mbretërisë shqiptare (1 shtator 1928 – 1 shtator 2018), do të prezantohet sot si një nga aksionet e para të Agjensisë “Pro Democratia”.

Burimi: kultplus


Top