1. Tema

Ëndrra 148

Autori: Rezart Cenaj

20170527230632 rezi2

Banka është mbushur plot me pleq. Qyteti, plot me pleq. I gjithë vendi, plot me pleq. 
Më zë syri një burrë me hundën e madhe dhe pak flokë te favoritet. Vetëm atje dhe në hundë kishte qime. Qëndron në rradhë dhe lëviz avash-avash drejt kasës. Deri sa t’i vijë rradha ka edhe 10 numra.
Mendoje pak. Të kalosh gjithë jetën tënde kështu. Duke paguar fatura dhe pa shkuar kurrë në Kubë, siç e kishe ëndërruar.

Te kasa e dytë del numri 148. Është numri im. Shkoj dhe ndjej se dikush vjen mbrapa meje. Një burrë i moshuar që pretendon vendin tim. Më tregon letrën dhe ishte vërtetë numri 148, por i një dite më parë. Domethënë, kaq shumë kohë i ishte dashur të vinte deri te kasa?
Kërkon nëpër xhepa dhe nxjerr disa numra të tjerë. Numra rradhësh, bankash të tjera, nga posta, nga CEZ-i… Ndërkohë, mendoja se ndër copat e letrave mund të gjendej edhe ndonjë teserë e Partisë së Punës. Si përfundim, kishte numrin 104. Kasierja i thotë se nëse të lë djaloshi, mund të futesh para. I lëshoj rradhën. 
Pasi mbaroj punë në bankë, kaloj nga tregu i frutave dhe perimeve. Shikoj hordhi pleqsh dhe plakash që bëjnë pazar. Erë mandarinash, ullinjsh dhe turshish. Peshq me sy të turbulluar dhe të shurdhët. 
Bllokim trafiku nga karroca të vogla të mbushura me patate dhe lulelakër. Dhe një grua plakë që zihet me gjithë dynjanë.

Futem në makinë dhe në radio luhet kënga  “Every year is getting shorter, never seem to find the time…” 
nga Pink Floyd 

Mendoj se cilat janë ato pesë minutat që zgjasin tërë jetën dhe të gjithë vrapojnë për t’i kapur. Derisa, një mëngjes, shkon në bankë me një copëz letër me numër për të pritur rradhën, ndërkohë që nuk ke mundur ende të shkosh në Kubë. 
Është e çuditshme. Duhet të mbërrijmë në fund të dëmit biologjik që të kuptojmë se nuk arritëm? Dhe, më e çuditshme akoma është se nuk e dimë se çfarë mundohemi të arrijmë. Jetojmë tetëdhjetë vite të ndara në pesë minutësha. Në pesëminutësha ankthi, derisa plakemi dhe shkojmë në banka në copëza letre me numra. Dhe në Kubë nuk shkojmë, për të parë hënën që ndiçon oqeanin Atlantik. 

Numri 148!
- Përshëndetje, si mund t’iu shërbej?
- Dua të shikoj hënën në Varadero.
- Duhet të shkoni te zyra e ëndrrave.
- Andej erdha, por ishte e mbyllur.
- Më vjen keq, por ne nuk u shërbejmë ëndërrimtarëve. A keni ndonjë faturë për të paguar?
- Kam shumë, por më thoni kur hapet zyra e ëndrrave.
- Nuk e di. Nga ju varet.
-Nga mua?
- Po, është self-service.

Top