1. Mind the art
  2. Interview

Iris Sojli, në fund të librit

20170527230619 20170527230452 iris

Një dedikim i shtrenjtë nga autorja e librit më të dashur, një ftesë dasme dhe njoftimi i vdekjes së Bukowski-t, botimi i vjetër i veprës poetike të John Milton-it , vepra e plotë e Migjenit…Këto dhe sekrete të tjera mes fletësh përkthyesja dhe skenaristja Iris Sojli i sjell në këtë intervistë. Së shpejti do të dalë  romani i saj i parë  si edhe një tjetër libër në shqip i Bukowski-t, titulluar “Posta”, për të cilin ka marrë edhe mbështetjen nga fondi i përkthimit në Ministrinë e Kulturës…

  Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…

Bëhet fjalë për një kopje të veprave poetike të John Milton-it , nga botuesi “A.L.Burt Company, Publishers”. Fatkeqësisht, faqja me të dhënat e botimit mungon, por libri përmban një dedikim të datës 19 maj 1925.  Megjithatë, më i shtrenjti nga botimet që kam është Vepra e Migjenit, botuar nga Shtypshkronja “Naim Frashëri” më 1988-ën, pasi ka një parathënie të shkëlqyer të Kadaresë, megjithëse përfundon trishtueshëm “Përpara se të bëheshin studimet për [Migjenin], përpara se të organizoheshin mbledhjet përkujtimore, e të gdhendeshin bustet e tij, Shqipëria e re socialiste, qysh në ditët e para të saj, vendosi një kontakt dashurie e mirëkuptimi me të. Ky akt i parë, duke qenë vendimtar për vlerësimin e tij, tregonte më së miri se koha e re, ishte koha e tij, bir të së cilës, “bir të shekullit të ri” e kishte shpallur veten qyshkur.” Kjo parathënie, me analizën e hollë,  por dhe propagandën që përmban, më duket shumë e vlefshme për analizën e veprës letrare të kohës së komunizmit në Shqipëri.

Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

Varet nga momenti. Padyshim autori ka një rëndësi të veçantë. Por që të zbulosh autorë të rinj duhet njëherë t’i referohesh zhanrit që në atë moment ndjen se ke nevojë të lexosh. Më ndodh gjithmonë e më shpesh që pasi lexoj një libër të një autori të ri që më përfshin, mbetem disi jetime, dhe asnjë libër nuk më hyn në sy. Në periudha si këto, koka e krevatit tim mbushet me libra të cilët i lë pas disa faqesh, ose edhe pas rreshtit të parë. E gjithmonë në çaste si këto, klasikët më vijnë në ndihmë, si trampolinë drejt leximeve të tjera.

I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

Mendoj se kjo gjë nuk do të më ndodhë kurrë. Blej aq shpesh libra, sa gjithmonë jam pas në leximin e tyre. Jo të gjitha librat që kam lexuar i kam në bibliotekë. Fatkeqësisht, kam lëvizur aq shpesh dhe biblioteka ime ka udhëtuar aq shumë, sa rrugës kanë ndodhur jo pak humbje. Megjithatë, nga biblioteka aktuale kam lexuar jo më shumë se dy të tretat.

Libri i parë që keni lexuar…
Më vjen në mendje tani romani “Gjyshja në degë të mollës”. Në fakt, pasi mësova të lexoj, im atë më dhuroi “Një mijë e një net”. Me siguri i kam lexuar ato përralla atëherë, por kënaqësinë e parë të vërtetë në lexim, ma ka dhuruar ajo gjyshja e lezetshme imagjinare që fshihej, simbolikisht po më duket tani, mes mollëve.

Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…

“Martin Iden” i Xhek Londonit. Prindërit ma kishin përmendur aq shpesh si shembull vendosmërie, sa në moshën  13- vjeçare kurseva lekët e ditëlindjes, pa u thënë asgjë dhe e bleva në librarinë e lagjes ku jetonim atëherë,  në Athinë. Më kujtohet që kam rendur në shtëpi, duke imagjinuar kënaqësinë në sytë e prindërve të mi, tek më shihnin të ndiqja këshillat e tyre.

Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnaziste apo studente?
Gjithmonë i kam ndarë librat dhe asnjëherë nuk e kam konsideruar një libër si objekt muzeu. Vlera e një libri qëndron tek qarkullimi dhe përhapja e botës që fsheh. Gjatë fakultetit, kam pasur një mik anglez, Terry Craven, me të cilin ndanim çdo botim. Tani ai është pronari i një librarie anglofone në Madrid, “Desperate Literature”. Ende komunikojmë shpesh për letërsi dhe para disa ditësh, ai më dhuroi ftesën origjinale të martesës së Charles Bukowski-t, si dhe lajmërimin e vdekjes së tij, të shoqëruar me një poezi të mrekullueshme të autorit.

A keni pasur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?

Po. Gjithmonë. Po mundohem këtë gjë t’ia ushqej edhe vajzës sime. Sado e pasur teknologjia e ditëve të sotme, mendoj se rëndësia e kulturës së izolimit me vetveten në një bibliotekë nuk do të mund të zëvendësohet kurrë.

A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

Kujtoj me nostalgji bibliotekën e lagjes sime, në Kinostudio. Era e librave atje më dehte. Rrija me orë të tëra dhe duhet të kem lexuar të gjitha zërat e letërsisë për fëmijë në atë bibliotekë. Më vonë gjatë studimeve, biblioteka ka qenë e domosdoshme për të gjetur burimet e nevojshme. Ndryshimi i punëve tona kërkimore me ato që bëhen sot, është se shumica e burimeve aktuale vjen nga Wikipedia. Ndërkohë që, mungesa e një enciklopedie gjithëpërfshirëse, por dhe sipërfaqësore, në kohët tona, na bënte të kërkonim burime të shumta, që e bënin më të pasur detyrën që dorëzonim.

I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër?
Jo, kjo gjë nuk më ka ndodhur kurrë.

Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?
Fatkeqësisht, po. Siç thashë më sipër, biblioteka ime ka udhëtuar po aq sa unë, mes Athinës, Parisit, Orleanit, Tiranës e Parisit sërish. Nga zhvendosjet padyshim që ka pasur “viktima”. Më e dhimbshmja mes tyre ka qenë një botim i dytë i Gatsbit të Madh, të Fitzgeraldit. Që atëherë, blej çdo botim të tij që gjej. Duhet të kem nja 8-9 botime të ndryshëm.

A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni disa tituj dhe si i siguronit?
Nuk më ka qëlluar. Por prindërit e mi, patjetër. Nga kjo anë, brezi ynë është shumë me fat, megjithëse ndonjëherë më duket sikur censura e atëhershme e shtonte dëshirën për lexim dhe dije.

Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?
Jam disi sqimatare dhe preferoj që të vendos vetë për leximet e mia. Megjithatë, miq që m’i njohin mirë shijet më kanë dhuruar jo pak libra, që më kanë dhënë shumë kënaqësi.

Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?
Kur një libër më përfshin e lexoj kudo. Lexoj shumë në transportet publike. Dhe gjithmonë në shtrat para se të fle.

A lexoni në banjë?
Maksimumi lexoj ndonjë artikull të Vogue…

Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?
Tani që e mendoj, në shqip kam lexuar pak libra. Shumica e librave kanë qenë në anglisht, frëngjisht ose greqisht. Lexoj edhe në italisht, por vetëm kur është gjuha origjinale e veprës. Përkthimet në gjuhën italiane dhe franceze shpeshherë më kanë zhgënjyer.

Ç’libër keni në duar aktualisht?
Po rilexoj romanin “City on Fire” të shkrimtarit Garth Risk Hallberg. Është roman i 2015-ës, i pari i autorit, që po konsiderohet si një nga klasikët e ardhshëm. Është një libër voluminoz, mbi 1000 faqe, plot me Nju Jorkun e viteve ’70. Kulturën Punk, riskicimin shoqëror, pas lëvizjeve kulturore të viteve ’60 etj., sjellë përmes një plejade personazhesh të freskët, befasues dhe shumë interesantë. Madje, aq më tërhoqi sa, pasi e përfundova, iu futa prapë  nga e para. Tani më ka kapur ankthi, çfarë do të lexoj, pasi ta mbaroj…

Mbani shënime kur lexoni?
Nënvizoj.

Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shënjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij apo saj?
Varet nga periudhat. Poezia më vjen gjithmonë në ndihmë në çaste dobësie. Kurse prozë lexoj përditë. Kur mbaroj një roman kam nevojë të kaloj në një univers të ri, edhe nëse më ka pëlqyer si vepër. Eventualisht, një autor që më ka tërhequr e rimarr në duar, por jo detyrimisht deri sa t’ia mbaroj të gjitha veprat.

Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

Leximi është çështje shumë personale dhe nuk besoj se duhet të ekzistojë një “patjetër”. Megjithatë, mendoj se poezitë e Migjenit, Uliksi, Iliada, romane formimi, si ato të Charles Dickens-it, apo klasikët rusë dhe francezë janë dritare të mrekullueshme leximi. Ndërkohë mendoj se unë nuk do të isha e njëjta, po të mos kisha lexuar “Bukë me Sallam” të Bukowski-t, “Darka e zhveshur” të Burroughs-it,  “Dublinasit” e Xhoisit, “Fije bari” të Uitmanit, veprën e Kavafisit, ose atë të Kamysë.

A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?
Ndoshta Komedia Hyjnore e Dantes. Por prapë, Libri Total nuk më pëlqen shumë si term.

Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi cilët do ishin?
Komedinë Hyjnore dhe Idiotin e Dostojevskit… ndoshta edhe një abetare,

Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh
Një lexues jeton një mijë jetë para se të vdesë.

Na thoni një varg të preferuar poezie…

Do I dare
Disturb the universe?
In a minute there is time
For decisions and revisions which a minute will reverse.

Në shqip do të ishte diçka e tipit:

A kam guxim

Universin të cyt?

Në një minutë ka plot kohë

Për vendime dhe rishikime që një minutë do i përmbysë.
(“The Love Song of J. Alfred Prufrock”, T.S. Eliot)

Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar? 

Henri Çinaski, i Bukowski-t (padyshim ka të tjerë që janë më të rëndësishëm, por me të jam shumë e lidhur).

Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?
Një nga leximet që na kanë shijuar më shumë, Terry-t dhe mua, ka qenë novela “Weight” e shkrimtares angleze Jeanette Winterson. Kemi kaluar net të tëra duke e analizuar dhe pasi vendosëm të kalonim në diçka tjetër, e ndërkohë që marrëdhënia jonë ishte tërësisht miqësore, i thashë natyrshëm: “Gjatë gjithë kësaj kohe jam ndjerë sikur kemi bërë dashuri në faqet e këtij libri”. Vite më vonë, kur takuam autoren, Terry i tregoi këtë përshtypje timen dhe ajo më shënoi dedikimin: “On the back of the book?”, si për të na pyetur ç’ndodhi kur libri u mbyll. Por përgjigjja jonë nuk ishte e denjë e pyetjes së saj. Ky dedikim mbetet më i çuditshmi dhe i shtrenjti, nga një autor.

Suadela Balliu

madammapo.al

Top