1. Mind the art
  2. Muzikë

Janis Joplin 46 vite pas vdekjes: kujtimi i një zëri të fuqishëm

20170527230614 20170527230447 janis

Këngëtarja amerikane vdiq përpara 46 vitesh pas një jete të mbushur me suksese, abuzime dhe dhimbje.


“Bëj dashuri me 25.000 veta, por pastaj shkoj në shtrat vetëm”, shkroi në një nga letrat e saj këngëtarja Janis Joplin, duke treguar njëkohësisht përmasat e suksesit që arriti dhe varësinë afektive që e bënte të brishtë muzën e lëvizjes hippie. Vdiq si sot 46 vite më parë. Vdiq 27 vjeç, e përfshirë në një det me turbullime emocionale të përziera me heroinë dhe alkool. 


Këngëtarja lindi në fshatin teksan Port Arthur, në Amerikën e thellë, një cep konservator ku Janis, e çrregullt dhe kontroverse, nuk kaloi pa u vënë re. Në adoleshencë, larg asaj çfarë pritej nga një zonjushë e kohës, vuajti nga abuzimi në shkollë dhe ishte viktimë e vështrimeve që e tregonin me gisht si të ishte një qenie e çuditshme. Mungesa e dashurisë nga ana e familjes së saj ia përforcoi akoma më tepër pasigurinë. 


Joplin bëri valixhet dhe udhëtoi drejt San Franciscos (Kaliforni) ku protagonizoi valën kundërkulturore të viteve ’60. Skena muzikore amerikane ishte një revolucion i gjallë. Në atë kohë, tekstet e Bob Dylan, The Rolling Stones apo Jimi Hendrix i vinin zjarr gramafonëve. 


Me një zë të aftë të kalonte nga ëmbëlsia në tërbim brenda një sekonde, Joplin arriti kulmin e famës, por u bë e varur nga skena, nga ngrohtësia e publikut. Pas çdo shfaqjeje, kur kishte kaluar ekstazën e të kënduarit, zhytej nga ana emocionale dhe drogohej. Droga e fiku pak e nga pak gjallërinë e saj. 


E egër, vetëshkatërruese, tragjike. Karriera e saj nisi me Big Brother & The Holding Company dhe përfundoi me Full Tilt Boggie. Vdiq kur ishte shumë e famshme pas konsumit të heroinës së pastër. La pas interpretime që bëjnë pjesë në historinë e muzikës falë zërit të saj që të merrte përpara, si: Summertime, Me and Bobby McGee apo Bye Bye Baby. 





Top