1. Tema

Kodikët e Beratit, pasuri me vlera botërore

20170527230606 20170527230439 14423988 1102836839800446 1764437609 o

Kodiku i Beratit nr. 1, i njohur edhe si "Beratinus Purpureus", (Fondi "Kodikët e Shqipërisë", Dosja 1), është kopjuar në shek. VI (pas Krishtit). Teksti është shkruar me germa argjendi dhe ari në pergamenë të purpurt, dhe përmban Ungjillin e Mateut dhe të Markut në greqisht. Dorëshkrimi ka 190 fletë dhe është pajisur me kapakë në vitin 1805, të cilët ruhen edhe sot. Kodiku i Beratit nr. 1 është dokumenti më i vjetër që gjendet në Arkivin Qendror Shtetëror.

Kodiku i Beratit nr. 2, i njohur edhe si "Aureus Anthimi", (Fondi "Kodikët e Shqipërisë", Dosja 2), është kopjuar në shek. IX (pas Krishtit). Teksti është shkruar me germa ari dhe dekoret janë punuar, po ashtu, me ar, në pergamenë të purpurt (ngjyra ka ndryshuar me kohën). Dorëshkrimi ka 420 fletë dhe përmban tekstin e katër Ungjijve në greqisht. Edhe ky dorëshkrim kapakët i ka të vitit 1805.

Të dy këta kodikë janë regjistruar në World Heritage Register të UNESCO-s më 2005.




Kodiku i Purpurt i Beratit (Beratinus 1). Shek. VI. Germa argjendi në pergamenë të purpurt. Ungjilli sipas Mateut. Fl. 45. Përmasat: 314 x 268 mm.




Kodiku i Purpurt i Beratit (Beratinus 1). Shek. VI. Germa argjendi në pergamenë të purpurt. Ungjilli sipas Mateut. Fl. 108. Përmasat: 314 x 268 mm.




Kodiku i Purpurt i Beratit (Beratinus 1). Shek. VI. Germa argjendi në pergamenë të purpurt. Fl. 112, fundi i Ungjillit sipas Mateut shënohet dhe me një vinjetë (dekori i vetëm i këtij dorëshkrimi), e cila përbëhet prej dy shiritave, një horizontal dhe një vertikal, të cilët takohen në kënd 90 gradë. Shiritat ndërtohen nga dy vija paralele, të cilat mbushen nga një vijë zig-zage. Trekëndëshat e krijuar nga zig-zaget mbushen me një dekor në formë zemre që në majë përfundon me një kryq. Përmasat: 314 x 268 mm.




Kapaku i sipërm i Kodikut të Beratit nr. 1. Fletë argjendi e punuar me rrahje dhe incizim. Sipas datës që mban kapaku, punimi daton në vitin 1805 dhe është dedikim nga Dhimitër Kristo Qirinxhi. Skena qendrore paraqet Zbritjen e Krishtit në Had, në katër qoshet paraqiten katër Ungjillorët (Marku, Mateu, Luka dhe Joani), kurse poshtë në qendër paraqitet Shën Joan Gojarti. 




Kapaku i pasmë i Kodikut të Beratit nr. 1. Skena qendrore paraqet Kryqëzimin e Krishtit, në qoshet e sipërme paraqiten dy engjëj ose kryeengjëj, kurse poshtë jepet Shën Gjerjgi (majtas) dhe Shën Dhimitri (djathtas). Poshtë skenës së Kryqëzimit ndodhet përkujtimorja "Dhimitër Kristo Qirinxhi, i përjetshëm kujtimi". Përmasat e kapakut: 315 x 270 mm. 




Kodiku nr. 2 i Beratit (Aureus Anthimi). Shek. IX. Germa dhe dekore ari në pergamenë të purpurt. Në pamje: miniaturë e Ungjillorit Joan, e punuar e gjitha me ar. Fl. 656. Përmasat: 240 x 190 mm.