1. Mind the art
  2. Libër

Letrat e dashurisë dhe dhimbjes së Franz Kafkës

20170527230613 20170527230447 kafka

Dy vite para se të vdiste, Franz Kafka (1883-1924) u rrëfye se kurrë nuk kishte njohur fjalën “të dua”. Nuk e mësoi autori i Metamorfozës se çfarë ishte dashuria? Ndoshta problemi qëndronte te forma se si e kuptonte ai dashurinë se sa në paaftësinë për të mbajtur një marrëdhënie. Dhe përkufizimi i tij i dashurisë, që shpjegon pse hoqi dorë nga pëshpëritja e kësaj fjale që është përsëritur miliona here në të gjitha kohërat e vendet, është po aq i ndërlikuar dhe torturues sa edhe letërsia e tij. 


Marrëdhënia më e gjatë që pati ishte me Felice Bauer, por para saj pati disa të tjera: njërës nuk do ia dimë emrin kurrë. Vetëm që rastisën në Zuckmantel gjatë verës së 1905 dhe 1906. “Ajo ishte një grua ndërsa unë djalosh”, shkruante më vonë, kur shpjegonte se “me përjashtim të letrave, kurrë nuk kishte pasur me Felice atë ëmbëlsi në marrëdhënie si me atë gruan në Zuckmantel dhe në Riva”. Vajza e Rivas, një llixha pranë liqenit të Gardës, ishte Gerti Wasner. 




Letër Felice Bauerit, 17 nëntor 1912. 


Para disa netësh të ëndërrova, është hera e dytë. Një postier më sillte dy letra të tuat dhe më dorëzonte një në secilën dorë me një lëvizje mrekullisht të saktë të krahëve që kërcenin si embola të një makine me avull. Ishin letra magjike. Mund të nxirrja sa fletë të doja e zarfat nuk zbrazeshin kurrë. Gjendesha në mes të një shkallare dhe isha e detyruar, mos m’u ofendo, të hidhja mbi shkallë fletët e lexuara që të nxirrja të tjerat nga zarfat. E gjithë shkalla, nga lart poshtë, ishte e mbushur me grumbuj faqesh dhe letër elastike, që dilte në sipërfaqe, e dërgonte një shushurimë të fortë“. 


Letër Felice Bauerit, 28 mars 1913.


Dritarja ishte e hapur dhe në fantazinë time të shkëputur, çdo çerek ore unë kërceja nga dritarja, vazhdimisht, pastaj vinte treni dhe vagonat një e nga një kalonin mbi trupin tim të tendosur në shina dhe thellonin dhe zgjeronin dy copat e mia: në qafë dhe në këmbë“. 




Letër Felice Bauerit, 21 qershor 1913. 


…Çfarë më thua, Felice, rreth jetës martesore që, së paku disa muaj në vit, bashkëshorti kthehet nga zyra rreth orës 2.30 ose 3, ha, shtrihet dhe fle deri në orën 7 apo 8, ha darkë shpejt, shëtit gjatë një ore, dhe më pas fillon e shkruan deri në orën 1 a 2 të mëngjesit. Do të ishe e aftë t’a durojë gjithë këtë? Mos të dish asgjë për bashkëshortin tënd, veçse është në dhomën e tij duke shkruar? Dhe të kalosh kështu gjithë vjeshtën e dimrin? Dhe andej nga pranvera t’a presësh atë burrë gjysmë të vdekur në derën e skrivanisë, për t’a vëzhguar gjatë pranverës dhe verës se si rekuperohet për vjeshtën dhe dimrin tjetër? A është kjo jetë e mundur? Ndoshta, ndoshta është e mundur, por duhet që t’i të mendohesh mbi këtë deri në hijen e fundit të dyshimit tënd.”

Letër Felice Bauerit, 6 gusht 1913.


Pata gjatë natës një krizë të vërtetë çmendurie, nuk arrija të dominoja idetë e mia, gjithçka shpërbëhej deri sa në mes të ankthit tim kulmor erdhi për të më ndihmuar figura e një kapeleje të zezë si ajo e një komandanti napoleonik, që u mbështet mbi ndërgjegjjen time dhe e mbajti të shtrënguar me forcë. Ndërsa kaq, zemra më rrihte mrekullisht, pastaj hodha batanijen, kur dritarja ishte ende e hapur tej për tej dhe nata ishte fort e freskët”.


Në qershor të vitit 1916, Felice dhe Kafka shkojnë për të pushuar disa ditë në Marienbad. Zënë dy dhoma ngjitur. Pas një viti do të fejohen, fejesë e cila u prish pasi shkrimtari u diagnostikua me tuberkuloz, shkak edhe i vdekjes së tij. Shumë gjëra kishin ndryshuar për të, përfshirë edhe frika për të formuar një familje. Ia thoshte Julie Wohryzek-ut, vajzës hebraike me të cilën u fejua për herë të tretë. Asaj i shpjegoi se asgjë nuk i dukej “më e dëshirueshme” se martesa dhe fëmijët. 


Kafka atëherë ishte 36 vjeç dhe iu desh të duronte të atin e tij që i sugjeroi se nëse ajo që donte ishte seks, atëherë mund të shkonte në një bordello. Tek ky koment e ka nismën “Letër babait”, dëshmia më e dhimbshme e letërsisë universale. 


Dora Dymant ishte e fundit. Nuk u martuan sepse kjo ishte këshilla e rabinit kur u pyet nga i ati i vajzës. Kafka, i tretur nga sëmundja, jetoi pranë saj momente lumturie që deri më atëherë nuk i njihte. Ndoshta në ata muajt e fundit, kur kishte shkruar aq shumë për këtë ndjenjë, pavarësisht se si shkrimtar i mungonte tërësisht romanticizmi sipas përkufizimit klasik, më në fund e kuptoi se çfarë ishte dashuria. 

Top