1. Mind the art
  2. Libër

Metoda të rrezikshme

Autori: Loer Kume

20170527230616 20170527230450 14672717 1123088554441941 765189215 o

Kohë përpara, në një moment të parëndësishëm ndërsa po kaloja disa orë pritje të mërzitshme duke shtyrë minutat në rrjet, pata një epifani. Mblodha brenda një grupi virtual, më “të çmendurit” e miqve të mi.


E tëra nisi si eksperiment social virtual. Antarë me aftësi të veçanta, tipa të zgjedhur me qiri, artistikë ose praktikë, por të tërë personalitete krijuese, karaktere të të gjitha llojeve në një arenë të madhe e sekrete virtuale. Kështu lindi përplasja. Kështu lindi A Dangerous Method. 


Dhe nga koha dhe qasjet e përditshme, përmuajshme, përvitshme brenda në këtë grup,  nga mundësia që të jep të qënit sekret, i pavëzhguar, pa audiencë të mirëfilltë, lind krijimi. 


Ego e natyrave artistike është më e ndjeshme se e njerëzve të tjerë. E nga ngacmimi i kësaj egoje në këtë arenë të mbyllur, lind lufta me veten. Pikëpyetjet me veten. 


Dhe, ngjashëm me filmin e njohur të David Cronenberg, A Dangerous Method, ngjashëm me lojën e imët të psikologëve pionierë të kohës, Freud e sidomos Jung, për të eksploruar dhe zbuluar territore të reja në psiken njerëzore, gjithashtu në këtë grup, njerëzit, sipas prerjes, temperimit dhe talentit, eksperimentojnë kufijtë e tyre personalë. Luajnë e frymëzohen në ide të reja, poezi, prozë, përkthime, fotografi, muzikë, logjikë, politikë, e çdo formë krijimi që lind nga debati ose impulsi artistik. 


E tërë koha virtuale e kthyer si eksperiencë e shtyrjes së kufijve vetjave në rrugët e rrezikshme të vendosjes së vetes në limite e përtej, për të çliruar kështu mendjen me të vetmen mënyre, mënyrën e kërkimit të Së VËRTETËS.


Njerëz të ndryshëm me kalimin e viteve qarkullojnë ose rezistojnë rregullisht në këtë hapësirë sekrete virtuale, duke provuar ndryshimin, multiplanin e gjithsecilit. Njerëz me profesione të ndryshme në jetën e përditshme, në vende të ndryshme larg njeri tjetrit, të njohur e më së shumti të panjohur me tjetrin, bien në kontakt bashkë, e provojnë ndryshimin e formës dhe permbajtjes duke shtyrë gjymtyrët e tyre mendore në shprehje të ndryshme e të reja të personalitetit. 


Grupi sekret A Dangerous Method ka qenë e do mbetet në rrjet dyer sekrete drejt së mundshmes e së resë. Por, për sa kohë mbetet një hapësirë virtuale, është i destinuar të kthehet në ujë të ndenjur, nga aklimatizimi i personazheve me njëri tjetrin, nga mospasja betejë, ose dhe nga ritmi i përditshëm i jetës, që kërkon një valvol shfryrje e bisedash virtuale, duke anestezuar si dëm anësor, nervin artistik krijues e debatues. E kjo më ka ndodhur mua të parit, kur grupi më eshtë kthyer në sëmundje maniakale dhe peshë, duke më penguar në kohën që duhej t’i kushtoja letërsisë time. 


Energjia e krijuar dhe grumbulluar gjatë tërë kësaj kohe, që të merrte një kuptim kërkonte një ndryshim forme. Hapesira te reja. Shtoji kësaj dhe egzistencën virtuale, që është në ekuilibër shumë të rrezikshëm midis të qenit e dobishme dhe e sëmurë njëkohësisht, morëm vendimin të përktheheshim në realitet. Dhe D.M. të kthehej nga dyer drejt së mundshmes virtuale mendore krijuese, në një motor real pune krijuese.


Si pasojë e këtij zhvillimi real, lindën aktivitetet “për së gjalli të grupit” që u konkretizuan nga mbledhjet sporadike me pije, debate, e thashetheme, në punë krijuese të mirefillta; ekspozitën amatore të fotografisë “Tension Urban”, dhe po kurorëzohen me këtë antologji që po lexoni në faqet e para tani; METODE E RREZIKSHME.


Kam pasur fatin dhe kënaqesinë e madhe të shkëmbej marrje e dhënie në grup me njerëz krijues, në rastin konkret poetë, të cilët sipas meje krijojnë çdo ditë poezinë e brezit tonë. Të këtij brezi që po jetojmë, fare të ndryshëm nga çka eksperiencuar vendi ynë deri më sot, gjeneratë individësh me tematika të lira sa vetë bota e sotme kaq e vogël. 

Sigurisht, A Dangerous Method nuk permblidhet vetëm në një grup poetësh, por në shumë me shume antarë te tjerë. 


Dhe poezia e brezit tim nuk mblidhet dot në një grup të reduktuar njerëzish, ka të tjere poetë fantastikë që nuk gjenden ne kete antologji, jetojnë e krijojnë në ditët tona. 


Por,  përdorëm si kriter te ngushtë postimet dhe postuesit ndër vite në D.M.  

Krijimet e poezisë që janë postuar në grup,  janë mbledhur në këtë Antologji të poezisë me sugjerimin dhe dëshirën e mirë të poetes dhe botueses Rita Petro dhe kënaqësine tonë për t’i ndarë krijimet dhe krijuesit më gjerë ndër lexues se virtualja. 


Njerëzit vijnë, marrin, japin, ikin. Krijesa e gjallë antologjike poetike mbetet. 

Lexim të mbarë!


Top