1. Shëndeti

Ortoreksia: mania për të ngrënë shëndetshëm

20170527230603 20170527230435 14329302 1101179809966149 858108021 o

Ortoreksia është një çrregullim i të ushqyerit që karakterizohet nga obsesioni për të ngrënë shëndetshëm. Çrregullimet e lidhura me ushqyerjen janë entitete patologjike që po hasen gjithmonë e më shpesh në shoqëritë e industrializuara. Jo gjithmonë gjendet arsyeja pse dikush zhvillon një çrregullim të tillë. Megjithatë, mund të fajësohen presioni mediatik i shoqërisë (rrjetet sociale: Instagram, Facebook), si edhe ndjeshmëria individuale e situatat e stresit psikologjik. 


Ortoreksia është përcaktuar si çrregullim vetëm kohët e fundit nga mjekë amerikanë. Emri vjen nga greqishtja dhe do të thotë oreks i drejtë ose korrekt. Por, në fakt, kuptohet si ortoreksi obsesioni për ushqimin e shëndetshëm. 


Çfarë dihet për ortoreksinë?

Sot ortoreksia nuk njihet si një çrregullim mendor i mirëfilltë. Megjithatë, disa specialistë mendojnë se ortoreksia është një çrregullim psikik që mund të paraprijë anoreksinë. Të tjerë kanë arritur në përfundimin se ortoreksia prek ata që kanë vuajtur nga anoreksia dhe tani janë rekuperuar. 

Në shumë raste, ky shqetësim patologjik për ushqimin e shëndetshëm bën që të kufizohet dukshëm të ngrënit. Këta persona shmangin ushqimet që i konsiderojnë “jo të shëndetshme”, si sallamra, mishra, yndyrna, bukën e bardhë dhe brumrat e ëmbël. Në raste të tjera, nuk hanë ushqime industriale, me shtojca apo konservantë, kurse në situata ekstreme, nuk konsumojnë fruta apo perime që nuk janë ekologjike dhe të freskëta. Kështu, mund të kufizohet marrja e kalorive dhe, njëkohësisht, të shkaktohen deficite ushqimore të rëndësishme. 


Simptomat dhe pasojat e ortoreksisë

  • Të harxhosh shumë orë në ditë duke menduar nëse dieta jote është e shëndetshme.
  • Të shqetësohesh më tepër për cilësinë e ushqimeve se sa për kënaqësinë e të ngrënit.
  • Ulje e cilësisë së jetës si pasojë e ndryshimeve të ushqyerjes.
  • Ndjenjë faji nëse nuk ndiqen kufizimet dietetike. 
  • Planifikim i tepërt i çfarë do të konsumohet ditën e nesërme. 
  • Izolim social për shkak të kufizimeve ushqimore. 


Nëse kur bëhet fjalë për anoreksinë nervore kontrolli dietetik përqëndrohet te sasia e ushqimeve, në ortoreksi përqëndrohet te cilësia. Megjithatë, në të dy çrregullimet, kontrolli i theksuar i ushqyerjes çon në deficite lëndësh ushqyese. 

Prandaj edhe pasojat do të jenë rënie në peshë, ulje e masës muskulare, anemi, kequshqyerje, mungesë vitaminash dhe mineralesh, depresion, ankth dhe izolim social. 


Top