1. Tema

Rreth minutave në 80 botë

Autori: Rezart Cenaj

20170527230637 rezi222

Do të ndjek Phileas Fogg në udhëtimin e tij të magjishëm. Do të bëj edhe unë xhiron e botës për 80 ditë. Ose për 80 minuta.

Do ta filloj nga rafti. Nga një kabinë telefonike në miniaturë, një souvenir nga Londra. Do futem brenda, të ngre telefonin dhe ora e shtëpisë do t´i kthejë mbrapa akrepat. Atëherë, kur nuk ekzistonin as makinat, as aeroplanët dhe as kompjuterat që ta sjellin Australinë më afër.

Hidhem shpejt brenda trenit. Synimi është piktura mbi kokën e divanit. Atje duket Parisi. Kulla Eiffel, zonjat që ndjekin modën dhe një gjuhë hundore. 

I bëj jastëkët e bardhë male dhe u vendos emrin ¨Alpe¨ . Vendos trenin të kalojë në mes të tyre. Bora shtron mbi divanin e lulëzuar.

Rruga e trenit vështirësohet dhe bie mbi qilimin pranë dritares. Grilat përplasen nga era. Me rrobat shumëngjyrëshe të ndera në ballkon dhe me ulluqet e përmbytura nga shiu, mbërrita në Venecia. 

E lë për pak trenin dhe hidhem për t´u varur te abazhuri. Duhet të çaj dete, oqeane dhe shkretëtira sa më shpejt të jetë e mundur për të mbërritur në Afrikë. 

Ja edhe Aleksandria nën tavolinë. Zbres katakombet dhe papritur përballem me farin që ndriçon bibliotekën e shkujdesur në cep. Ngjitem duke u kacavjerrur nëpër rafte deri sa arrij majën e anijes. Kapem te direku dhe çaj oqeanin Indian me stuhitë e tij të errëta.

Dhe papritur shikoj një rrufe te dera e sallonit. ¨Ç´bën kështu fëmijë i prapë…. Shko shpejt në dhomën tënde!¨ 

Me kokën ulur përshëndes anijen, trenin, sallonin, botën time. Dhe i premtoj vetes që, në mundësinë e parë, të përfundoj aventurën e lënë përgjysmë.

Top